Përshtypjet e Mysafirit të Parë të AAIS

Nga data 31 gusht 2016 e deri 4 tetor të këtij viti pata rastin që të isha mysafir i Shoqatës Islamike Shqiptare Australiane. Ky nder ishte shumë i veçantë për mua pasi që unë isha imami i parë mysafir i qendrës më të vjetër dhe më të rëndësishme të fesë dhe kulturës sonë në Australi.

Shoqata Islamike Shqiptare në Australi është institucion model. Nuk e them këtë sa për të ‘larë gojën’, por jam shumë i vetëdijshëm për vlerësimin që u bëj. Arsyeja që e them këtë është se komuniteti shqiptar musliman në Melburn ka arritur që të ndërtojë një vatër shumë të rëndësishme të ruajtjes së identitetit të tyre dhe për të arritur këtë nuk e ka patur aspak të lehtë. Dhe jo vetëm që ia ka dalur, por falë angazhimit të kryesisë dhe kryetarit të saj të palodhshëm, z. Vahid Gogës, kjo shoqatë është për t’u marrë lakmi në të gjitha aspektet. Ata bëjnë një punë të mrekullueshme dhe mjaft kreative për ta mbledhur afër vetes komunitetin e tyre dhe për aq vite sa ekzistojnë kanë arritur që të bëhen strumbulluar kryesor i të gjitha organizimeve të shqiptarëve në shtetin e Viktorias. Zaten, sot po nuk qe kreativ nuk mund të jesh i suksesshëm.

Gjatë qëndrimit tim pesëjavor në këtë qendër pata rastin që të shërbeja në disa aktivitete dhe shërbime të saj si: mbajtjen e hytbes në ditën e xhuma, ligjërimet në Qendrën Rinore, kurset e leximit të Kur’anit, vizitat në familjet e bashkatdhetarëve tanë, takime me të rinjtë, etj.

Personalisht jam shumë i kënaqur me mikpritjen që më është bërë nga kryesia e kësaj shoqate, por edhe nga anëtarët e saj të shumtë.

Gjatë të gjitha paraqitjeve të mia si në qendër ashtu dhe në ndenjat private jam përpjekur që të shtjelloj tema përmes të cilave do t’i inkurajoja besimtarët që të ruanin dhe kultivonin raportet e mira dhe respektuese ndërmjet tyre. Konstatimet e mia jam mundur që t’i argumentoj me Fjalën e Allahut të Lartësuar dhe me hadithet e të Dërguarit e fundit, Muhamedit, lavdërimi dhe paqja e Zotit qofshin mbi të.

Po ashtu theks të rëndësishëm në ligjeratat e mia i kam kushtuar paqes, bashkëjetesës dhe harmonisë në shoqërinë shqiptare në përgjithësi. Australia në esencë është një shoqëri multikulturore dhe muslimanët duhet që këtë veçori jo vetëm ta njohin, por ta zhvillojnë akoma më shumë.

Në Melburn pata rastin të takojë shqiptarë nga treva të ndryshme të Shqipërisë Etnike. Ishte përjetim i veçantë njoftimi me brezin e parë të mërgimtarëve tanë në kontinentin e poshtëm, peripetitë e tyre së pari për të mbërritur atje, udhëtimet e gjata, pastaj vendosjen e tyre, inkuadrimin në punë, organizimin e komunitetit, integrimin në shoqërinë australiane, etj. Gjithashtu, vlen të përmendet se mu dha rasti që të takoja edhe shumë shqiptarë të suksesshëm në sfera të ndryshme të jetës, duke filluar nga biznesi, mjekësia, sporti, kultura, etj. Ndër të tjera jam i befasuar me vullnetin e bashkatdhetarëve tanë për të ruajtur gjuhën, traditën dhe fenë e të parëve të tyre.

Për mua kjo vizitë uroj që të ruhet përjetësisht në kujtesën time pasi që vërtet ia kalova shumë bukur. Shpresoj që edhe anëtarët e kësaj shoqate të kenë të njëjtat përshtypje si të miat.

Në fund shfrytëzoj rastin që të falënderoj edhe një herë kryesinë dhe kryetarin e AAIS-it, z. Vahid Gogën për pritjen e ngrohtë që më bënë dhe gjithë atë që bënë që unë të ndihem jo si mysafir, por si anëtar i vërtetë i shoqatës së tyre. Nuk mund të lë pa falënderuar edhe anëtarët e kësaj shoqate me të cilët pata rastin që të ndaja momentet më të mira të qëndrimit tim atje.

Lus Zotin Mëshirëplotë që t’ju rrethojë me të mirat e Tij të pafundme në këtë botë dhe në të ardhmen.

IMAM AGRON TERZIQI

aais_agronterziqi_001

aais_farewell_dinner_aterziqi_oct2016_003

aais_farewell_dinner_aterziqi_oct2016_004

aais_farewell_dinner_aterziqi_oct2016_011

aais_farewell_dinner_aterziqi_oct2016_002

aais_farewell_dinner_aterziqi_oct2016_007

aais_bayramcelebration_sept2016_020

AAIS_InfoSession_ATerziqi_Sept2016_017

Përshtypjet e Mysafirit të Parë të AAIS, 5 out of 5 based on 6 ratings.

Follow by Email
Facebook
Facebook